Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Biznesit, z. Etugert Llazi, si edhe drejtues të tjerë nga QKB dhe Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit zhvilluan një vizitë zyrtare pune në Padova, Itali, pranë InfoCamere, institucioni që administron sistemin italian të regjistrit tregtar dhe shërbimeve digjitale për biznesin. Vizita u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjes së ofruar nga pala italiane për modernizimin e infrastrukturës teknologjike të QKB-së.
Gjatë workshop-it të organizuar në ambientet e InfoCamere, përfaqësuesit e QKB-së dhe ekspertët italianë diskutuan mbi implementimin e një sistemi modern, të avancuar regjistrimi dhe raportimi te bazuar në standardin ndërkombëtar XBRL, integrimin me sistemet ekzistuese, si dhe procesin e migrimit të të dhënave drejt platformës së re.
Një fokus i veçantë iu kushtua përputhshmërisë së sistemit të ri me direktivat e Bashkimit Evropian, mbrojtjen e të dhënave personale dhe garantimin e transparencës në funksionimin e regjistrit tregtar. Gjithashtu, u diskutua nderlidhja me sistemin BRIS, që synon ndërveprueshmërinë e regjistrit shqiptar me regjistrat europianë të biznesit.
Delegacioni shqiptar u njoh nga afër me modelin italian të regjistrit plotësisht digjital, përdorimin e identifikimit elektronik dhe nënshkrimit elektronik, si dhe me standardet e sigurisë kibernetike dhe menaxhimit të infrastrukturës teknologjike të InfoCamere. Në kuadër të vizitës, u zhvillua edhe një tur në Data Center-in e institucionit italian, ku u prezantuan kapacitetet teknologjike dhe organizimi operacional për garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve.
Takimi u zhvillua në tre sesione paralele që trajtuan aspektet ligjore dhe rregullatore, aspektet teknike dhe IT, si dhe ndikimin ekonomik të reformimit të regjistrit tregtar.
Në përfundim të takimit, palët diskutuan hapat e mëtejshëm për projektin e reformimit të Regjistrit Tregtar Shqiptar, përfshirë modelin e qeverisjes, institucionet pjesëmarrëse dhe fazat e implementimit të sistemit të ri. Ky bashkëpunim pritet të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve ndaj biznesit, rritjen e efikasitetit dhe harmonizimin e mëtejshëm të QKB-së me standardet europiane të digjitalizimit dhe transparencës.
Adresa: Bulevardi “Zhan D’Ark”, Prona nr.33, Shtëpia e Ushtarakëve, Tiranë
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

