Projekti
Company in Albania - Business anywhere
Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe Institute for Advance Studies and Cooperation (IASC)

Partnerët e projektit
- ▸ Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB)
- ▸ Institute for Advance Studies and Cooperation (IASC)
Detaje kohore
Kohëzgjatja: 2 vite
Data e nënshkrimit: 7 tetor 2025
Përmbledhja e projektit
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është krijimi i një bashkëpunimi dyvjeçar ndërmjet Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe Institute for Advance Studies and Cooperation (IASC), me synim zbatimin e projektit "Company in Albania - Business anywhere".
Projekti "Company in Albania-Business anywhere" ka për qëllim thjeshtësimin dhe ofrimin e asistencës së specializuar dhe shërbimeve për shtetasit e huaj që dëshirojnë të regjistrojnë, investojnë dhe ushtrojnë aktivitet tregtar në Republikën e Shqipërisë. Ky bashkëpunim synon rritjen e transparencës, lehtësimin e proceseve administrative dhe krijimin e një mjedisi më të favorshëm dhe gjithëpërfshirës për investitorët e huaj.
Roli i Institute for Advance Studies and Cooperation (IASC)
Zbatimi i projektit kërkon mobilizimin e burimeve financiare, teknike dhe njerëzore, të cilat janë thelbësore për arritjen e objektivave të tij dhe për garantimin e një qasjeje efikase ndaj investitorëve të huaj. IASC luan një rol kyç në sigurimin e fondeve dhe krijimin e partneriteteve strategjike, duke ndihmuar në realizimin e suksesshëm të projektit dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Në këtë kuadër, Institute for Advance Studies and Cooperation (IASC) gjithashtu qëndron si një aktor mbështetës, duke ofruar asistencë dhe shërbime specifike për subjektet e huaja që synojnë të zhvillojnë aktivitet në vendin tonë. Kjo mbështetje lidhet jo vetëm me orientimin ligjor dhe procedurial, por edhe me përmirësimin e klimës së investimeve të huaja në Shqipëri.
Rezultatet e pritshme
- ▸ Lehtësimi i proceseve për investitorët e huaj dhe nxitja e klimës së investimeve.
- ▸ Sigurimi i informacionit të qartë dhe të aksesueshëm për investitorët e huaj mbi procedurat ligjore dhe administrative qe lidhen me regjistrimin e biznesit në Shqipëri.
- ▸ Lehtësimi i procesit të regjistrimit dhe më pas të zhvillimit të aktivitetit tregtar në Shqipëri.
- ▸ Ofrimi i asistencës në gjuhë të huaj për një përvojë më gjithëpërfshirëse dhe efektive.
- ▸ Mbështetja e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian përmes praktikave të harmonizuara të regjistrimit të bizneseve.