QKB po zbaton të gjitha direktivat e dala nga Paketa “MONEYVAL”, për Regjistrin e Pronarëve Përfitues

Lidhur me shqetësimin e ngritur në media nga Konfindustria-s për identifikimin e kompanive të ashtuquajtura “guackë”, Qendra Kombëtare e Biznesit dëshiron të informojë publikun se është duke ndërmarrë të gjitha masat ligjore për zbatimin e rekomandimeve të dala nga paketa “MONEYVAL”.

Me anë të Urdhërit të Ministrit të Financave dhe Ekonomise Nr. 286, datë 25/10/2018, u ngrit grupi i punës për ndjekjen, koordinimin dhe raportimin e progresit të masave të përcaktuara në planin e veprimit, për përmbushjen e rekomandimeve të komitetit të ekspertëve për vlerësimin e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (MONEYVAL) të Këshillit të Europës, i cili kishte për detyrë të shqyrtonte legjislacionin shqiptar, vlerësimin e praktikave më të mira, me qëllim hartimin e rekomandimeve për krijmin e regjistrit të pronarëve përfitues.

Një prej masave afatshkurta është miratimi në Ligjin Nr. 9723, datë 03/05/2007, “Për regjistrimin e biznesit”, i cili parashikon detyrimin ligjor se aplikimi për ndryshimin e ortakut dhe/ose strukturës së ortakërisë të personit juridik bëhet brenda 30 ditëve kalendarike pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe detyrimin ligjor se shoqëria aksionare së bashku me bilancin vjetor kontabël dhe raportin e auditimit, njofton listën e plotë të aksionerëve të regjistruar me të dhënat e tyre të identifikimit për aksionet nominative, si dhe numrin e përgjithshëm të të gjitha aksioneve të saj. Mosrespektimi detyrimeve të sipërcituara përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë respektivisht në masën 50 000 lekë dhe 100 000 lekë.

Ndërkohë, si masë afatmesme është parashikuar hartimi i një projektligji të ri për krijimin e Regjistrit të Pronarëve Përfitues, bazuar në analizën e kryer të praktikave të realizuara nga disa vende që tanimë e kanë miratuar ,  në të cilin do të përcaktohet:

Subjektet që do të kenë detyrimin të regjistrojnë të dhënat për pronarët përfitues;

Mënyra e regjistrimit të dhënave;

Afatet për regjistrimin e të dhënave;

Dokumentet që duhet të dorëzohen për të provuar të dhënat që regjistrohen;

Mënyra e aksesit në të dhënat e regjistruara në këtë regjistër;

Sanksionet që do të zbatohen nëse nuk regjistrohen të dhënat për pronarët përfitues;

Periudha tranzitore për  plotësimin e detyrimit për shoqëritë e regjistruara para hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Me qëllim zbatimin e rekomandimeve të MONEYVAL, administrata shtetërore shqiptare, përfshirë edhe Qendrën Kombëtare të Biznesit, po asistohet nga Këshilli i Europës, nëpërmjet projektit “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë II - Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri”, i cili  ka për qëllim përmirësimin e shtetit të së drejtës dhe qeverisjes përmes forcimit të instrumenteve për parandalimin e krimit ekonomik.

Në kuadër të këtij projekti, nga ana Këshillit të Europës, është parashikuar si  rezultat  i pritshëm, përmirësimi i kuadrit rregullator dhe kapaciteteve të autoriteteve kompetente lidhur me Transparencën e Pronarëve Përfitues.